Si e krijoi pasurinë Ardian Gjini? Nga paga si zyrtar te pronat me vlera të mëdha

Si është krijuar pasuria e Ardian Gjinit ndër vite? Kjo është pyetja që po ngrehet lidhur me pasurinë dhe të ardhurat e kryetarit të Komunës së Gjakovës.
Sipas pretendimeve të bëra publike, deri në vitin 2005 Gjini nuk kishte as automjet personal, ndërsa gjatë periudhës 2005–2008, kur ishte ministër, përdorte veturë zyrtare.
Më pas, ai ushtroi funksionin e deputetit dhe vazhdoi karrierën politike deri në postin e kryetarit të Komunës së Gjakovës.
Në deklarimin zyrtar të pasurisë të dorëzuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Gjini ka deklaruar disa prona, përfshirë një shtëpi të trashëguar prej 200 metrash katrorë, një shtëpi 126 m², një banesë 61 m², një shitorе 100 m² dhe një truall 433 m². Në të njëjtin deklarim figuron edhe një Mercedes-Benz me vlerë të deklaruar prej 35 mijë eurosh.
Ndërkohë, në pretendimet që po qarkullojnë për pasurinë e tij përmenden edhe prona të tjera me vlera shumë më të larta, duke përfshirë një banesë prej 612 m², një shtëpi në Marigona, pronë në Prevallë, një lokal në Fushë Kosovë dhe automjete luksoze.
Këto shifra dhe vlerësime duhet të verifikohen përmes deklarimeve zyrtare të pasurisë dhe dokumenteve të pronësisë.
Pyetja që kërkon përgjigje është e thjeshtë: nga janë krijuar këto pasuri dhe cilat kanë qenë burimet financiare të tyre?