Roeli po flet falë ndihmës së Pandorës, këngëtarja s’ndal dot lotët pas fjalëve të Selvijes

Këngëtarja e njohur Pandora ka ndarë një rrëfim prekës dhe tejet të sinqertë gjatë emisionit “1 kafe me Labin”, ku ka sqaruar raportin e saj me Shpat Kasapin dhe bashkëshorten e tij, Selvijen. Pandora tregoi se ndërsa me Shpatin njihej prej dy dekadash, Selvijen nuk e kishte takuar asnjëherë më parë. Gjithçka nisi nga një telefonatë e një shoqeje të përbashkët, e cila i kërkoi ndihmë Pandorës për të mbështetur familjen në një moment të vështirë.

Pandora pranoi se kishte ndier keqardhje të madhe për Selvijen, e cila ishte gjykuar padrejtësisht nga publiku pas ndarjes nga jeta të Shpatit. Megjithatë, sapo e takoi dhe bisedoi me të, këngëtarja ndryshoi tërësisht përshtypje, duke e cilësuar atë si një grua jashtëzakonisht të fortë.

“Lum ai djalë për nënën që ka”, u shpreh Pandora, e cila i ka kushtuar edhe një këngë djalit të Shpatit, Roelit të vogël, të cilën e interpretoi për herë të parë premierë në studio.

Në një intervistë për Artistët Shqiptarë, Pandora ka zbuluar se ideja e këtij projekti lindi në një moment shumë të bukur, kur Roeli nisi të flasë.

Nga ana tjetër, Selvija ka zgjedhur t’i shprehë mirënjohjen e saj publike Pandorës përmes një letre rrëqethëse, ku e quan atë “drita jonë” në mes të dhimbjes së madhe për humbjen e Shpatit.

Përmes këtij mesazhi, Selvija tregoi se falë ndihmës dhe mbështetjes së Pandorës, Roeli i vogël ka arritur të vazhdojë terapinë e stimulimit dhe kopshtin. Ajo u shpreh e lumtur që sot po e dëgjon zërin e të birit çdo ditë e më shumë.

Në letrën e saj, Selvija theksoi se do t’i jetë gjithmonë mirënjohëse Pandorës për dashurinë, kujdesin dhe dorën e ngrohtë që u zgjati atëherë kur kishin më së shumti nevojë. Ndihma e këngëtares ka qenë vendimtare në trajtimin mjekësor të djalit, i cili nuk fliste, por që sot, falë terapive të mundësuara, po bën hapa të mëdhenj përpara.