Rama dëshiron ta “shesë” Diellën në Gjermani: Të luftojë korrupsionin njësoj si në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar skenën e forumit europian të inovacionit dhe sipërmarrjes “Ruhr Summit” në Gjermani për të prezantuar jo vetëm sukseset e pretenduara të digjitalizimit në Shqipëri, por edhe “yllin” e ri të qeverisë së tij Diellën, ministren virtuale të bazuar në inteligjencën artificiale.
 
Në një kohë kur shqiptarët vijojnë të përballen me hallet e përditshme të administratës, kryeministri u ndal gjatë te revolucioni digjital që, sipas tij, ka transformuar shtetin. Rama tha se mbi 1000 shërbime publike tashmë ofrohen online dhe se kjo ka minimizuar kontaktin mes qytetarëve dhe sporteleve, duke reduktuar edhe mundësinë për ryshfet.
 
“Është jashtë mase e vështirë t’i japësh ryshfet një serveri”, deklaroi ai, duke e paraqitur teknologjinë si ilaçin ndaj korrupsionit.
 
Por pjesa që tërhoqi më shumë vëmendje ishte prezantimi i “Diellës”, të cilën Rama e cilësoi si anëtaren më të re të kabinetit qeveritar. Sipas tij, inteligjenca artificiale nuk është sjellë për të zëvendësuar administratën, por për ta “rishpikur” atë dhe për të forcuar institucionet.
 
Kryeministri zbuloi gjithashtu projektin “GOV IA”, një sistem që synon të lidhë të gjitha institucionet shtetërore në një platformë të vetme inteligjente për analizimin e të dhënave dhe përmirësimin e vendimmarrjes.
 
Si zakonisht, Rama nuk i kurseu batutat. Duke iu drejtuar të pranishmëve në sallë, ai tha me humor se objektivi i radhës është që modeli shqiptar i inteligjencës artificiale të zhvillohet aq shumë, sa një ditë të mund t’i shitet edhe Gjermanisë, në mënyrë që edhe ata të luftojnë korrupsionin me ndihmën e IA-së.
 
Nga promovimi i “ministrave” virtualë te premtimi për eksportimin e modelit shqiptar në zemër të Europës, Rama u kujdes që fjalimi i tij të mos kalonte pa dozat e zakonshme të vetëbesimit.