Ndërsa Prime i radhës i Big Brother VIP Kosova po zhvillohej mes debateve të forta brenda shtëpisë, një përplasje tjetër u zhvendos jashtë saj – këtë herë në rrjetet sociale, shkruan Raporto24.
Ish-banorja Xheneta Fetahu ka reaguar ashpër ndaj opinionistes së këtij sezoni, Leonora Jakupi, pas një deklarate të bërë nga kjo e fundit gjatë transmetimit live. Fjalia e Leonorës, ku ajo la të kuptohej se ndihej e “lodhur” nga ndjekja e vazhdueshme e banorëve, u interpretua nga Xheneta si mungesë përkushtimi ndaj rolit që mban.
Përmes një postimi në Instastory, Xheneta nuk u kursye në tone, duke sugjeruar publikisht se Leonora duhet të largohet nga karrigia e opinionistes. Sipas saj, ky rol i shkon më shumë stilit dhe qasjes së stilistit Valdrin Sahiti, i cili – sipas Xhenetës – është vlerësuar nga publiku për komentet e drejtpërdrejta dhe pa dorashka në paraqitjet e tij të mëparshme.
Thumbimi nuk përfundoi me kaq. Ish-banorja ironizoi edhe faktin që Leonora përcjell shpesh reagimet e publikut brenda shtëpisë, duke i sugjeruar që këtë herë të lexojë edhe komentet që, sipas saj, tregojnë se publiku nuk e sheh atë të përshtatshme për këtë rol.
Reagimi i Xhenetës ka ndezur menjëherë diskutime në rrjete sociale, duke hapur një tjetër kapitull polemikash rreth panelit të opinionistëve të BBVK.
