Vetëm javën e kaluar ajo sapo publikoi projektin e saj të ri muzikor të titulluar “If I Knew”, dhe bashkë me të erdhi edhe momenti ideal për të dalë zbuluar para publikut.
Për herë të parë për mediat shqiptare, Besa ka zgjedhur të flasë ekskluzivisht për Prive By Liberta Spahiu, duke u ndalur në detaje që pakkush i priste nga ajo. Sigurisht, në një rrëfim të tillë kaq të rrallë, ishte krejtësisht e pashmangshme të mos pyetej pa doreza edhe për raportin jashtëzakonisht të komentuar me motrën e saj, Dafina Zeqirin.
Më shumë se dy dekada distancë dhe aludime pafund për një raport të akullt u duk se u fshinë në ditën e dasmës së divës së pop-it. Prania e Besës në ceremoni theu rrjetin duke krijuar idenë e një ribashkimi përrallor, por deklaratat e saj tani tingëllojnë po aq të forta sa edhe diplomatike. Ajo theksoi se diferenca e tyre prej vetëm dhjetë muajsh i bën të ndihen pothuajse si binjake. “E respektoj dhe e dua motrën time pafund. Nëse nesër marr një telefonatë ku dikush më thotë ‘motrës tënde i duhet një veshkë’, unë jam aty për t’ia dhënë”, ka deklaruar ajo e mbushur me emocion.
Teksa vlerëson perandorinë që Dafina ka ndërtuar, Besa e komenton praninë në dasmë thjesht si një “hap të mirë” dhe një “kujtim të bukur”. Duke theksuar në mënyrë të përsëritur se secila ka ndërtuar familjen e vet të vogël dhe se ndodhen në faza krejtësisht të ndryshme të jetës.