Mejdi Memeti ankohet se djalit të tij me nevoja të veçanta i është ndalur ndihma sociale, me arsyetimin, siç thotë, se ai si prind merr pension. Përveç kësaj, ai shprehet se i është kërkuar që t’i kthejnë 40 mijë denarë që i janë dhënë periudhën e fundit për djalin. Por Mjediu pohon se nuk jeton më nuk jeton me familjen, pasi edhe me vendim gjykate, është divorcuar nga gruaja.
“Unë nuk e kuptoj çfarë para të kthej, pse ia ke dhënë ti ato para deri sot?! Ti a nuk e ke ditur që nuk i takojnë ato para por sot t’i kthej”, tha Mejdi Memeti.
Për këtë rast TV21 u drejtua te Qendra Sociale Shkup, drejtori i së cilës, Hamza Ameti, pasi i pa dokumentet për rastin, na tha se vendimi është marrë pasi Mejdiu posedon 3 vetura dhe kjo nuk lejohet për ato familje që marrin ndihmë për persona me nevoja të veçanta.
“Me rregullore ata që janë shfrytëzues të drejtës sociale brenda familjes mund të kenë vetëm një veturë, fatkeqësisht te familja e zotëri Mejdiut, i kemi 3 vetura. Prej datën kur ka qenë vetura e fundit ta themi, i njëjti duhet t’i kthejë të hollat. Kemi disa lëshime ne me palën mund të bëjmë një marrëveshje që ai t’i kthejë të hollat tek ne me këste te Qendra”, u shpreh Hamza Ameti – drejtor i Qendrës Sociale.
Mënyra se si Memeti mund ta rikthejë ndihmën sociale të djalit është nëse në pronësi të tij, si kryefamiljar, ka vetëm një veturë. Pas kësaj, siç na tha edhe drejtori i qendrës sociale, ai më 1 mars përsëri mund të bëj kërkesë te Qendra për ta shfrytëzuar të drejtën e ndihmës djali i tij.
Përndryshe, ky është një rast që u denoncua në emisionin “Thirre 21-shin”.