Hykmete Bajrami: Nga zyra e LDK-së më është kumtuar se në listë unë jam me numër 12, pas njerëzve që deri dje e kanë luftuar LDK-në

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka njoftuar se do të jetë pjesë e listës zgjedhore të LDK-së me numrin rendor 12 për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovë që do të mbahen me 07.06.2026.Bajrami tha se për të nuk paraqet problem kjo renditje ani pse, siç ka shkruar ajo, pas njerëzve që deri dje e kanë luftuar LDK-në.“Prej se jam në politikë, e zgjedhur deputete shtatë herë, kam qenë, jam dhe do të jem në LDK. Kam qenë këtu në ditë të mira e në ditë të vështira. Nuk e kam braktisur LDK-në për interesa personale dhe nuk e kam parë asnjëherë si stacion të përkohshëm politik. Nga zyra e LDK-së me është kumtuar se në listë unë jam me numër 12, pas njerëzve që deri dje e kanë luftuar LDK-në, por kjo për mua personalisht s’paraqet asnjë problem, sepse beteja ime nuk është për renditje as për fitore personale”- ka shkruar ajo.

Bajrami tha se kauza e saj “është Kosova shtet i fortë dhe këtë kauzë mund ta çojë përpara vetëm LDK-ja, me njerëzit e saj, LDK-ja që i mbron parimet e veta dhe nuk harron pse ekziston”.

Kandidatja për presidente e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, më 10 maj u paraqit për herë të parë në një tubim pas marrjes së bekimit të Këshillit të Përgjithshëm për të qenë bartëse e listës së kandidatëve për deputetë të kësaj partie në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit 2026.Megjithatë, në “Tubimin e bashkimit” – siç u quajt ky tubim- nuk u panë Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala e Janina Ymeri, deputetë të legjislaturës së dhjetë nga radhët e LDK-së.

Por, në tubim u panë figura të tjera të LDK-së dhe kandidatë për deputetë që janë pjesë e grupit prej 20 personave që Osmani i ka përzgjedhur të jenë pjesë e listës së LDK-së.Avdullah Hoti e Hykmete Bajrami munguan edhe në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, kur u vendos për kthimin e Osmanit në parti.