Në 26-vjetorin e Betejës së Koshares, Shukrije Ramadani, bashkëshortja e heroit Agim Ramadani, ia ka kushtuar disa vargje atij.
Më 9 prill 1999, luftëtarët e UÇK-së, të udhëhequr nga Brigada 138 “Agim Ramadani”, arritën të thyejnë kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke hapur rrugën për furnizimin me armatim dhe mbështetje logjistike.
Kjo betejë, e cila zgjati deri më 10 qershor 1999, u zhvillua në kushte të vështira, por me një vendosmëri të jashtëzakonshme nga luftëtarët shqiptarë.
Thyerja e kufirit jo vetëm që kishte rëndësi strategjike, por edhe simbolike, duke shënuar një hap të madh drejt çlirimit të Kosovës.
Për këtë betejë dhe për Agim Ramadanin, Shukrija ka thurur disa vargje.
“Gurëve e gurrave që nga ëndrrat i njihje u ngjite me dashuri! Në secilin lis nji ëndërr e vare, e shkurreve i fshehe kujtimet e buzëqeshjes që ta dridhnin zemrën! Çdo mëngjes me copë dielli acarin shkrive e me hukamen e zemres mjegullnajën fshive nga ëndrrat që lindnin dritën! Me sy puthe kreshtat e majave e me plumba lirinë pikturove në trupa ujqësh që coptonin veten mes presë së premtuar! Duart më ngrinë bashkë me lulet e ruajtura për ty i miri im! Ti s’u ktheve shtigjeve ku të prisja, ike, fluturove në liri!”, ka shkruar ajo.