Një studente britanike e drejtësisë, 23-vjeçarja Mia O’Brien, është dënuar me 25 vite burg në Dubai, pasi u kap me 50 gramë kokainë në banesën e saj në tetor të vitit të kaluar.
Ajo ndodhet aktualisht në burgun famëkeq Al-Awir, i quajtur ndryshe edhe si “Alkatrazi i Gjirit”.
E dënuar më 25 korrik pas një gjyqi të përshpejtuar në gjuhën arabe që zgjati vetëm një ditë, Mia tashmë ndodhet në një qeli të pistë, që e ndan me gjashtë gra të tjera, duke fjetur në një dyshek në dysheme.
Nëna e saj, Danielle McKenna, ka ngritur zërin publikisht, duke deklaruar se bëhet fjalë për një gabim të rëndë gjyqësor dhe se vajza e saj “nuk ka prekur kurrë drogën në jetën e saj”.
“Ajo bëri një gabim të madh kur shkoi për të vizituar një mikeshë dhe të dashurin e saj në Dubai. Ishte e tronditur, qante në telefon dhe më thoshte: ‘Mami, më fal…’”, rrëfen e ëma me dhimbje.
Por teksa familja e Mia-s kërkon falje apo lehtësim të dënimit, tre pyetje kyçe vazhdojnë të qëndrojnë pa përgjigje rreth rastit.
Mia nuk ishte vetëm kur u arrestua. Sipas raportimeve, ajo u ndalua së bashku me një shoqe dhe të dashurin e saj, dhe të tre u akuzuan për shitje droge.
Por deri tani, asnjë informacion nuk është bërë publik për dy personat e tjerë. Nëna e saj konfirmon se “të tjerë janë përfshirë”, por nuk dihet nëse ata janë liruar, dënuar apo ende ndodhen në Dubai.
Edhe pse arrestimi ndodhi në tetor 2024, dhe dënimi u dha në korrik 2025, rasti i Mia-s u bë i njohur publikisht vetëm ditët e fundit, kur nëna e saj nisi një fushatë për mbledhje fondesh në GoFundMe.
Familja kishte zgjedhur të mos e bënte publike çështjen, për shkak të shokut dhe vështirësisë për ta përballuar. Por fushata u mbyll papritur nga GoFundMe, me shpjegimin se shkelte rregullat e faqes.
“Nuk lejohet mbledhja e fondeve për mbrojtje ligjore të disa krimeve të dyshuara”, deklaroi një zëdhënës i platformës.
Para se të mbyllej, fushata kishte mbledhur rreth 700 paund nga 1600 të kërkuara.
Përgjegjësia mbi 50 gramët e kokainës – një sasi e konsideruar “e madhe” sipas nënës së Mia-s – mbetet ende e paqartë. Lënda narkotike u gjet në një “copë të vetme” në apartamentin ku qëndronte ajo në Dubai.
Prokuroria e akuzoi 23-vjeçaren për qëllim shitjeje, por Mia u deklarua e pafajshme. Gjykata e dënoi gjithashtu me një gjobë marramendëse prej 100 mijë paundësh.
E ëma thotë se vajza nuk do ta kishte përdorur apo shitur kurrë drogën, dhe beson fuqishëm se ajo është viktimë e një padrejtësie të madhe:
“Nuk besoj për asnjë moment se ajo do ta shiste drogën apo do ta sillte në Mbretërinë e Bashkuar. Ishte një sasi e madhe, por të tjerë janë përfshirë. Ajo është thjesht kapur në mes të një situate që nuk e kuptonte.”
Mia O’Brien kishte ëndërr të bëhej juriste, por tani ndodhet pas hekurave në kushte të rënda, përballë një dënimi të gjatë dhe pasigurie të madhe për të ardhmen.
Familja shpreson që çështja të rishqyrtohet dhe që vajza e tyre të ketë një mundësi për drejtësi, ndërsa kërkojnë edhe ndërhyrjen e autoriteteve britanike.