Edona Llalloshi ka njoftuar sot publikisht se do të rikandidojë për deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke kërkuar edhe një herë besimin e qytetarëve për të përfaqësuar interesin publik në institucionin më të lartë ligjvënës.
Ajo u shpreh se, ndonëse në zgjedhjet e kaluara mori mbështetjen e votuesve, mandati i saj nuk arriti të shndërrohej në rezultate konkrete. Pikërisht për këtë arsye, Llalloshi thekson se ka vendosur të rikthehet më e përgatitur dhe më e vendosur për të kontribuar në ndryshime reale.
“Besoj fuqishëm se këtë herë do të kemi më shumë përkrahje për Lëvizjen VETËVENDOSJE!”, shkruan ajo ndër të tjera, duke bërë të ditur se së shpejti do të publikojë programin e plotë, prioritetet dhe idetë për mandatin e ri.
Në fund, ajo u bën thirrje qytetarëve që ta mbështesin në këtë rrugëtim politik, duke e cilësuar besimin e tyre si përgjegjësinë e saj më të madhe.
Edona Llalloshi garon me numrin 29, ndërsa mbetet pjesë e listës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, me numrin 116.