Burrë Tabani-ky është shqiptari që refuzoi miliona euro nga Sërbia për t’ia shitur shtëpitë Veri të Mitrovicës

Ali Kadriu, i njohur si “Aliu i pathyeshëm”, është bërë simbol i rezistencës shqiptare në Veriun e Mitrovicës, pasi refuzoi oferta që kalonin vlerën e 1 milion eurove për të shitur shtëpitë e tij dhe për t’u larguar nga zona.
Që nga viti 2008, kur ai u pengua të hynte në pronën e tij nga forcat speciale të UNMIK-ut, Aliu ka përjetuar arrestime dhe keqtrajtime, por nuk u dorëzua. Sot, ai ka ndërtuar dy kulla në lagjen “Kroi i Vitakut” dhe vazhdon të jetojë aty, pavarësisht rrezikut dhe tensioneve të vazhdueshme.

“Ne nuk dalim nga këtu. Jam në tokën time, në vendin tim”, deklaron ai, duke theksuar se asnjë thirrje nuk do ta bindë të largohet.
Aliu shpreh zhgënjim ndaj institucioneve të Kosovës, duke thënë se për 23 vite pas luftës, asnjë qeveri nuk ka ndërmarrë masa serioze për të mbështetur shqiptarët e Veriut. Ai kritikon edhe ata që kanë shitur pronat, duke thënë se kanë zgjedhur rehatinë, ndërsa shumë familje ende presin të gjejnë eshtrat e të afërmve të tyre të zhdukur.

Sipas tij, mungesa e sigurisë dhe e punësimit po i detyron banorët të largohen nga trojet e tyre, duke i demoralizuar gjithnjë e më shumë.