Andi Pajaziti lirohet nga akuza për vrasje, dënohet më 2 vjet burgim për armëmbajtje pa leje

Gjykata e Prishtinës ka vendosur lidhur me rastin e Andi Pajzitit i akuzuar për vrasjen e K. R. në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë më 2023. Për veprën penale “vrasje në gjendje të tronditjes së fortë mendore” Andi Pajaziti është liruar nga akuza.

për veprën penale “armëmbajtje pa leje” është dënuar më 2 vite burgim dhe në këtë dënim do t’i llogaritet edhe qëndrimi në paraburgim. Dënimi me burgim, të njëjtit do t’i ekzekutohet në afat prej 15 ditësh pasi aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.

Shpallja e aktgjykimit është bërë nga gjyqtari i vetëm gjykues, Eroll Gashi. “Për dispozitivin e parë lirohet nga ky dispozitiv i kësaj aktakuze sepse ka rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale, përkatësisht veprimet e të pandehurit janë në kuadër të mbrojtjes së nevojshme.

për dispozitivin e dytë armbajtje pa leje, është shpallur fajtor dhe për këtë veprën është dënuar me 2 vite burgim, i cili dënim do të ekzkutohet në afat prej 15 ditësh nga dita kur ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë”- tha gjyqtari.

Gjyqtari Gashi bëri të ditur se me aktvendim të veçantë të akuzuarit i ndërpritet masa e paraburgimit. “Të akuzuarit me aktvendim të veçantë i ndërpritet masa e paraburgimit. Në dënimin e shqiptuar me burgim të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 05.08.2023 deri më datë 31.01.2025. Ashtu që në atë mënyrë që një ditë e qëndrimit në paraburgim do të barazohet në një ditë me burgim” – theksoi gjyqtari.

Andi Pajaziti më 18.07.2024 në seancën e shqyrtimit fillestar kishte deklaruar se e pranon fajësinë për “armëmbajtje”, por për “vrasje në gjendje të tronditjes së fortë mendore” nuk e pranon, pasi i njëjti tha se ka vepruar në vetëmbrojtje. “Për veprën e parë penale ‘vrasje në gjendje të tronditjes së fortë mendore’ nuk ndihem fajtor, sepse ajo vepër është kryer në vetëmbrojtje, kurse për ‘armëmbajtje’ e pranoj” – kishte deklaruar Andi Pajaziti.