Arian Alijaj, një i dënuar për pjesëmarrje në luftën në Siri në mesin e dekadës së kaluar dhe Spartak Dërmaku, janë dy nga tre burrat që u arrestuan pasditen e të martës në një operacion të Prokurorisë Speciale, të asistuar nga Policia e Kosovës dhe Byroja Federale e Hetimit (FBI).
Tre të arrestuarit dyshohen për një seri veprash të rënda penale, përfshirë pjesëmarrjen në grup të organizuar kriminal, financimin e terrorizmit dhe shpëlarjen e parave.
Arian Alijaj është i njohur për organet e drejtësisë dhe konkretisht për Prokurorinë Speciale, e cila e kishte ndjekur atë penalisht 10 vjet më parë.
Më 2016, gjatë një procesi gjyqësor ku akuzohej për terrorizëm, Alijaj kishte arritur marrëveshje me prokurorin special Abdurrahim Islami për pranim të fajësisë. Më 21 nëntor të vitit 2016, Alijaj ishte dënuar me dy vjet e gjysmë burgim nga një gjyqtar i Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Alijaj, bashkë me një person tjetër, akuzohej se nga marsi i vitit 2016 i ishte bashkuar formacioneve të huaja paraushtarake të përfshira në luftën e Sirisë. Ai, ishte ndaluar nga autoritetet turke pasi ishte kthyer nga Siria në maj të të njëjtit vit.
Nga Turqia, ishte ekstraduar në Kosovë me kërkesë të autoriteteve kosovare të drejtësisë. Në Kosovë, ai ishte gjykuar për terrorizëm.
I arrestuari Alijaj, shkruan Paparaci, del se ishte i afërt me Spartak Dërmakun, të ndaluarin tjetër në aksionin e së martës, tregojnë fotografitë e publikuara në rrjetet sociale të cilat i shfaqin ata në shoqërinë e njëri-tjetrit.
Të dy, bazuar në aktivitetet që ekspozonin në rrjetet e tyre sociale, ishin të përfshirë në biznesin e kriptovalutave.
Operacioni ‘Mega’ i Prokurorisë Speciale u asistua edhe nga autoritetet e Kanadasë dhe ato të ShBA-ve, përfshirë nga agjenci të Departamentit të Shtetit të cilat ndihmojnë institucionet e drejtësisë së vendeve aleate.
