Me krenarinë e baballarëve dëshmorë në zemër” – djemtë e heronjve Enver Zymeri dhe Afrim Bunjaku bëhen pjesë e Policisë së Kosovës

Dy emra që mbajnë peshën e sakrificës dhe krenarisë po vazhdojnë rrugën e baballarëve të tyre në shërbim të Republikës së Kosovës. Në kuadër të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës, pjesë e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike janë bërë edhe Sokol Enver Zymeri dhe Jetlum Afrim Bunjaku, djemtë e zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës.

Sokoli dhe Jetlumi sot janë kadetë të AKSP-së, ndërsa pas diplomimit pritet të shërbejnë si zyrtarë policorë në mbrojtje të rendit, sigurisë dhe qytetarëve të Kosovës, duke ndjekur idealin dhe betimin e etërve të tyre.

Akademia e Kosovës për Siguri Publike ka bërë të ditur se vetëm gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 është akredituar për periudhën 5-vjeçare 2026-2031 nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë në fushën e arsimit të lartë.

Gjatë kësaj periudhe janë diplomuar 21 zjarrfikës në trajnim profesional, janë realizuar 24 trajnime me 359 pjesëmarrës, ndërsa aktualisht po trajnohen 100 kadetë të Shërbimit Korrektues dhe 412 kadetë të Policisë së Kosovës në gjeneratën e 63-të.

AKSP, e themeluar në vitin 1999 në Vushtrri, konsiderohet institucioni kryesor për arsimimin dhe trajnimin e personelit të sigurisë publike në Kosovë. Që nga themelimi, mbi 150 mijë zyrtarë kanë kaluar nëpër trajnimet dhe programet e saj profesionale.