Hoxha dhe humanisti Halil Kastrati ka ndërmarrë një veprim humanitar në Komunën e Malishevës, pas njoftimit për një të moshuar që jetonte i vetëm dhe në kushte të rënda jetese.
Sipas njoftimit, i moshuari ishte i braktisur nga familja dhe i harruar nga shoqëria, duke jetuar në kushte të papërshtatshme dhe të padenja për jetën njerëzore.
I rënduar nga varfëria dhe vitet, ai kishte shprehur vetëm disa fjalë që pasqyronin gjendjen e tij të vështirë, duke thënë: “Mirë që toka po na mban”, përcjell Telegrafi.
Pas takimit me të moshuarin, Halil Kastrati së bashku me bashkëpunëtorët e tij ndërhynë menjëherë, duke e strehuar atë në një shtëpi për të moshuarit. Aty, ai do të ketë kushte më të mira jetese, ushqim, ngrohtësi, kujdes shëndetësor dhe mbështetje të vazhdueshme, me synimin që të jetojë me dinjitet.
Kastrati ka theksuar se askush nuk duhet të kalojë vitet e fundit të jetës në vetmi dhe se asnjë njeri nuk duhet të ndihet barrë për shoqërinë.
Ai ka shprehur mirënjohje ndaj Zotit dhe bamirësve që mbështesin veprimet humanitare, duke bërë thirrje për më shumë solidaritet dhe kujdes ndaj personave më të pambrojtur në shoqëri. /Telegrafi/