Besim Dina tregon pse Albin Kurti nuk i shkoi në emision

Moderatori i njohur kosovar, Besim Dina, ka treguar pse kryeministri Albin Kurti nuk ka qenë asnjëherë në emisionin e tij “Oxygen”.

Në emisionin “Mirëmbrëma yje” me Arbana Osmanin, moderatori Dina tha se e ka ftuar Kurtin, por kishte refuzuar ftesën e tij për shkak se emisioni “Oxygen” transmetohet në Klan Kosova.

“E kam thirr, jo që s’ka pranuar, por nuk vi aty [në Klan Kosova], ky muhabet mes gazetares së ‘Oxygen’ dhe një këshilltarit të tij”, tha Dina.

Ai tregoi se pas një kohe kishte kërkuar të vinte, por tani e kishte refuzuar ky i fundit.

“Pas një kohe, ‘a të vimë’, i thashë gazetares, thuaj ‘nuk është koha’, qysh kishte thënë ai dikur që në Klan nuk bën me ardh. Jo kur do ti, as kur dua unë, por kur duam të dytë, kështu bëhet ‘Oxygen’”, tha Dina.

Dina gjatë emisionit deklaroi se ka marrë oferta që të ftohen mysafirë të caktuar me pagesa të majme, por asnjëherë nuk ka pranuar.