Një tjetër fatkeqësi ka goditur familjen Halili nga Tepelena. Nëna e 27-vjeçarit Sulo Halili, i cili u gjet i vrarë dhe i djegur në Greqi disa ditë më parë, ka ndërruar jetë pas një ataku kardiak që dyshohet se u shkaktua nga dhimbja e humbjes së djalit të saj të vetëm.
E ndjera kishte qenë në gjendje të rënduar emocionale që prej 8 nëntorit, ditës kur u konfirmua se trupi i gjetur i karbonizuar në zonën Skourta të Beotisë i përkiste Sulo Halilit, një ndërtues i ri shqiptar që jetonte dhe punonte në Greqi.
Zbardhen rrethana të reja për krimin e rëndë në Greqi
Sipas mediave greke, 27-vjeçari dyshohet se ishte joshur përmes një aplikacioni takimesh nga një grua në zonën e Vilias, ku mendohej se do të zhvillohej një takim. Në vend të kësaj, ai ka rënë në kurth, është rrëmbyer dhe torturuar për orë të tëra, përpara se të qëllohej dhe trupi t’i digjej brenda automjetit.
Makina ku u gjet trupi ishte vjedhur më parë në Glyfada dhe mbante targa të falsifikuara nga një automjet tjetër në Pieria — një detaj që, sipas policisë, tregon për përfshirjen e një grupi të organizuar kriminal.