Serbia refuzon takimin në Bruksel për personat e zhdukur në Kosovë

Sot ishte planifikuar që të mbahej takimi i Komisionit të përbashkët për personat e zhdukur në Bruksel.

Por takimi ka dështuar ngase pala serbe nuk ka pranuar të jetë në takim.

Lajmin e ka dhënë Andin Hoti.

“Takimi nuk u realizua për shkak të refuzimit të Serbisë për të marrë pjesë në këtë takim, edhe pse takimi kishte qenë planifikuar para dy javëve.
Kryenegociatori i Serbisë ishte i pranishëm në Bruksel, pavarësisht që nuk e kam të qartë çfarë ka kërkuar aty, pasi që takimi ka qenë i paraparë vetëm për çështjen e personave të zhdukur, dhe formati ka qenë me zëvendësues të komisioneve.
Prania e z. Petkoviq në Bruksel është dëshmia më e qartë se pikërisht ai orkestroi dhe garantoi dështimin e takimit të paraparë, duke e kthyer një proces teknik jetik në një mjet të turpshëm të politizimit dhe obstruksionit.
Arsyetimi i Serbisë për mospjesëmarrje në takim përvec që banal është edhe i dëmshëm për procesin e zbardhjes se fatit të personve të zhdukur, dhe nuk ka të bëjë asgjë me temën që sot janë thirrur në Bruksel.
Kjo demonstron për të satën herë mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar në këtë çështje të rëndësishme.
Kjo tregon edhe njëhërë politizimin e tejskajshëm të Serbisë në raport me ceshtjen e personave të zhdukur.
Ndërkohë, delegacioni i Kosovës ka mbajtur takime me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe ka parashtruar kërkesat tona sipas agjendës së parashikuar dhe për këtë kemi marrë njoftimin nga z. Lajcak, që do të raportohet konstruktiviteti ynë dhe kërkesat tona te vendet anëtare të BE-së.
Ne vazhdojmë të kërkojmë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për çështjen e personave të zhdukur, duke shpresuar në bashkëpunimin e plotë të të gjitha palëve të përfshira”, shkruan Hoti në njoftim./Indeksonline/