“Ty të ka dënuar Zoti” ! Deklarata e Rogertit shkakton reagime të forta : Shoqata e personave me aftësi të kufizuara kërkojnë përjashtim urgjent

Një deklaratë e bërë nga konkurrenti Rogert gjatë një debati në programin Big Brother Albania VIP ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe nga organizatat që mbrojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

atë një përplasjeje verbale me gazetarin Stenaldo Mehilli, i cili është person me aftësi të kufizuara në shikim, Rogerti përdori shprehjen “ty të ka dënuar Zoti”, deklaratë që është cilësuar si fyese dhe diskriminuese.

Menjëherë pas transmetimit të episodit, Rrjeti i Organizatave të Personave me Aftësi të Kufizuara ka reaguar me një deklaratë publike, duke e konsideruar gjuhën e përdorur si të papranueshme dhe duke kërkuar ndëshkim të menjëhershëm.

Në reagimin zyrtar, organizatat theksojnë se deklarata përbën ableizëm, një formë diskriminimi që nënvlerëson personat me aftësi të kufizuara dhe cenon dinjitetin e tyre njerëzor. Sipas tyre, një gjuhë e tillë ka shërbyer historikisht për izolimin dhe përjashtimin e këtij komuniteti, duke ushqyer stigma dhe paragjykime.

Shoqatat vlerësojnë gjithashtu se rasti përbën gjuhë urrejtjeje, pasi nuk prek vetëm individin, por transmeton një mesazh përçmues ndaj gjithë komunitetit të personave me aftësi të kufizuara, veçanërisht duke marrë parasysh audiencën e gjerë të programit.

Në deklaratë përmendet edhe fakti se Shqipëria ka ratifikuar që në vitin 2013 Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, e cila kërkon respektimin e barazisë dhe dinjitetit të çdo individi, si dhe përputhje me standardet europiane të të drejtave të njeriut.

Në këtë kuadër, Rrjeti i Organizatave të Personave me Aftësi të Kufizuara kërkon:

përjashtimin e menjëhershëm të konkurrentit Rogert nga Big Brother Albania VIP,

ndërhyrjen e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) për shkelje të Kodit të Transmetimit,

reagimin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, duke paralajmëruar depozitimin zyrtar të një ankese pranë këtij institucioni.

Në përfundim, organizatat i bëjnë thirrje shoqërisë shqiptare të kuptojë se aftësia e kufizuar është pjesë e pandashme e diversitetit njerëzor dhe se respekti, përfshirja dhe dinjiteti duhet të jenë vlera themelore në çdo hapësirë publike dhe mediatike.

“Ty t’ka dënu Zoti…” Rogerti shpërtheu rëndë ndaj Stenaldos!

Situata brenda shtëpisë së “Big Brother VIP 5” ka dalë plotësisht jashtë kontrollit gjatë ditës së sotme, teksa tensionet e akumuluara mes banorëve kanë shpërthyer në përplasje të forta verbale dhe emocionale, duke shënuar një nga momentet më të rënda të këtij edicioni.

Në qendër të kaosit ka qenë sërish Rogerti, i cili gjatë orëve të fundit është përfshirë në një sërë konfliktesh me Artanin, Selinin, Krusitën dhe Baby G.

Por asnjë prej tyre nuk krahasohet me debatin e ashpër që pati me Stenaldon, një përballje që u cilësua menjëherë si më e rëndë dhe më shqetësuese se të gjitha të tjerat.

Gjatë përplasjes, Rogerti përdori një gjuhë tejet fyese, duke iu drejtuar Stenaldos me deklarata që preknin drejtpërdrejt aftësinë e tij të kufizuar në shikim.

Fjalia “ty të ka dënuar Zoti” u dëgjua në mes të debatit dhe u perceptua nga shumëkush si kalim i çdo vije etike dhe njerëzore.

I prekur thellë nga fjalët e rënda, ai reagoi në mënyrë të papritur, duke “pështyrë” Rogertin në fytyrë, një moment që la të shtangur banorët dhe ndryshoi menjëherë atmosferën në shtëpi.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje mes konkurrentëve dhe ka hapur një valë diskutimesh mbi pasojat që mund të sjellë ky incident, si për raportet mes banorëve, ashtu edhe për vendimet që mund të marrë produksioni në vijim.