Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Durrësit dhe gjithë opinionin publik. 15-vjeçari Erion Boba ka ndërruar jetë në spital, pas dhjetë ditësh përpjekjesh të dëshpëruara të mjekëve për ta mbajtur në jetë. I mituri ishte plagosur rëndë me thikë nga një bashkëmoshatar i tij, në një konflikt që kishte nisur në rrjetet sociale dhe më pas ishte degjeneruar në dhunë fizike.
Sipas familjarëve, goditja me thikë i kishte prekur zemrën, duke e futur adoleshentin në një betejë të vështirë mes jetës dhe vdekjes. Për shkak të gjendjes tejet kritike, familja kishte kërkuar ndihmë për ta dërguar jashtë vendit për trajtim të specializuar. Apeli i tyre u publikua edhe nga JOQ Albania, por përpjekjet rezultuan të pamjaftueshme.
Për 10 ditë me radhë, Erioni qëndroi në reanimacionin qendror të QSUT, ku mjekët luftuan për ta shpëtuar, ndërsa familja dhe komuniteti u mobilizuan çdo ditë me shpresën se ai do t’ia dilte.
Fatkeqësisht, zemra e të miturit pushoi së rrahuri sot, duke lënë pas një dhimbje të thellë për familjen Boba, të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që u prekën nga historia e tij tragjike.