Ajo që nisi si një denoncim i aktorit Dardan Gashi për një incident të ndodhur në shesh, ku ishte i përfshirë djali dhe bashkëshortja e tij, është shndërruar në një përplasje të ashpër publike me profesorin dhe analistin Blerim Latifi.
Pas reagimit të Gashit ditën e djeshme lidhur me atë që ai e cilësoi si “sulm islamofobik”, sot debati ka eskaluar. Blerim Latifi është përfshirë duke lëshuar akuza të rënda drejt aktorit dhe duke përmendur edhe babanë e tij të ndjerë, poetin Adem Gashi.
Latifi: “Pseudo-aktor i infektuar me ideologjinë vehabiste”
Përmes një postimi të gjatë, Latifi ka treguar njohjen e tij personale me poetin Adem Gashi, duke shprehur respekt për të, por ka qenë tejet i ashpër me të birin, Dardanin. Latifi pretendon se Dardan Gashi e ka përfshirë emrin e tij pa të drejtë në situatën e djeshme dhe ka lënë të kuptohet për kërcënime të tërthorta.
”E kuptoj se ky pseudoaktor, dhe gjithsesi i padijshëm, këtë e ka bërë ngaqë prej kohësh është infektuar me ideologjinë vehabiste, duke e tradhtuar hapur kredon kulturore për të cilën jetoi dhe shkroi babai i tij, Adem Gashi,” ka shkruar Latifi.
Profesori shkoi edhe më tej, duke cituar shprehjen popullore “Shpesh nga Skënderi del beteri”, për të përshkruar raportin mes vlerave të babait dhe veprimeve të djalit.
Dardan Gashi: “Tregojeni ‘Pseudo-Profesorit’ për poetin Adem Gashi”
Nuk ka vonuar përgjigja e aktorit, i cili i është drejtuar Latifit me termin “Pseudo-Profesor”. Gashi ka mbrojtur figurën e babait të tij, duke theksuar se poeti nuk bënte dallime fetare në figurat e kombit.
”Tregojeni se ky poet, krahas poezive kushtuar Pjetër Bogdanit, ka shkruar edhe për kontributin e Medresesë ‘Alaudin’. Tregojeni se poeti Adem Gashi nuk i ndante figurat e kombit… Ai i shihte të gjithë si misionarë të një ideali të vetëm — ngritjen e kombit shqiptar,” ka replikuar Gashi.
Aktori ka akuzuar Latifin se me retorikën e tij “linçuese ndaj besimtarëve” po tradhton vetë idealet e Rilindjes Kombëtare, duke e mbyllur reagimin me vargjet e famshme të Fishtës për bashkëjetesën mes Bajramit dhe Pashkëve.
Mbetet për t’u parë nëse ky debat do të vazhdojë apo do të mbyllet me kaq, ndërsa vëmendja publike tashmë është fokusuar te kjo “luftë” deklaratash.