Elijona Binakaj, banorja më e komentuar e momentit në Big Brother VIP Kosova, ka ndarë një kapitull të rëndë të fëmijërisë së saj pak para se të hynte në shtëpinë më të famshme në vend, shkruan Raporto24.
Në një intervistë për RTV Dukagjinin, ajo rrëfeu se për gjashtë vite ishte detyruar të jetonte larg familjes biologjike, në një familje gjermane, pas ndarjes së prindërve.
“Prej moshës 7 vjeçare deri në moshën 13 vjeçare unë jam rritur në një familje gjermane, në moshën 7 vjeçare mua më janë ndarë prindërit, në shkollë fillore e kisha një shenjë aty shteti gjerman ka reaguar, fëmijërinë unë e mbaj mend deri në moshën 7 vjeçare shumë të bukur, atëherë është kthyer gjithçka, jam ballafaquar me gjëra të ndryshme”, tha Binakaj.
Ajo tregoi se menjëherë pas ndarjes së prindërve u vendos të jetonte me nënën, motrat dhe vëllain e vogël, por situata ndryshoi shpejt. Sipas Elijonës, një mësuese e shkollës fillore e kishte raportuar rastin dhe kjo kishte çuar në largimin e saj nga familja.
“Në shkollë një mësuese pasi u ndanë prindërit më shikonte më shumë dhe më ka larguar prej familjes. Kam jetuar në një familje gjermane, pa dëshirën time. Kanë raportuar për dhunë në familje”.
Kjo periudhë, sipas saj, mbetet një nga përvojat më të rënda që ka përjetuar ndonjëherë.
“Ka qenë një moment i tmerrshëm, më ka ardhur shumë papritur. Nuk kam ditur as të mbroj veten, për nënën ka qenë e tmerrshme sepse ka pritur t’i kthehej vajza në shtëpi, kemi luftuar shumë për me ardh deri në këtë pikë që të rikthehem te familja”.
Elijona zbuloi edhe vështirësitë e përditshme me të cilat ishte përballur gjatë asaj kohe, duke nënvizuar kufizimet strikte që i ishin vendosur.
“Dy vitet e para s’kam pasur telefon, por edhe më kanë ndaluar kontaktin. Ka qenë tmerr. Gjithë atë dhimbje, nuk i gjej as fjalët”.