Lushtaku: Niveli i Adriana Matoshit si kur del prej një shtëpie publike

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka thënë se niveli i ish-deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, është sikur me dal prej një shtëpie publike e jo se ishte deputete.

Këto deklarata Lushtaku i dha të enjten pasi u betua si kryetar i Skenderajt. Ai u pyet për deklaratat e Matoshit, e cila e akuzonte Lushtakun se kishte blerë toka publike me çmim qesharak e më pas i kishte shitur me çmime astronomike. Matoshi e pati kritikuar edhe Mërgim Lushtakun, djalin e Samisë.

“Ajo është niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike, e jo si një deputete që ka përgjegjësi për fjalën që flet me qytetarët. Prandaj, mendoj se edhe zonja Matoshi edhe do zonja tjera duhet të kenë kujdes se çka flasin sepse mendoj se fjala e tyre është bajagi me peshë. Prandaj, të gjithë ne që jemi në politikë duhet të kemi kujdes maksimal, të mos ofendojmë. Nëse ka dikush vërejtje për punën dhe angazhimin tonë, le të flasin me fakte”, ka thënë Lushtaku para mediave pas betimit.

Gjuhën e përdorur nga Lushtaku e dënoi juristja e medias, Flutura Kusari. Sipas saj, shprehjet e kryetarit të Skenderajt janë të rrezikshme për të gjithë gratë që janë domenin publik.

“Shprehjet e Sami Lushtakut drejtuar Adriana Matoshit jane te tmerrshme, te papranueshme dhe te rrezikshme per krejt grate qe jane prezente ne domenin publik!”, ka shkruar Kusari.

Sami Lushtaku është pyetur edhe rreth rikthimit të Ramiz Lladrovcit në PDK, për të cilin u shpreh se nuk është PDK, por i respekton vendimet e partisë.

“Unë udhëheqjen do ta respektoj. Unë mendimet nuk i ndryshoj, unë kam thënë se për mua Lladrovci nuk është kurrë më PDK, por është vendim i kryetarit dhe Kryesisë së partisë dhe i respektoj”, shtoi ai.