Kurti: Opozita e ka në dorë fatin e Qeverisë së re – Ose zgjedhje në dhjetor, ose “Konjufca 1” e zgjedhje në prill

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se mandati për formimin e qeverisë i është dhënë Glauk Konjufcës dhe se nga vendimi i opozitës varet nëse vendi shkon në zgjedhje në dhjetor apo në prill.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar zhvillimet e fundit politike lidhur me krijimin e qeverisë së re, duke konfirmuar se ka mandatuar Glauk Konjufcën për të udhëhequr me procesin e formimit të ekzekutivit.

Në një intervistë për Syri Vision, Kurti tha se tashmë është opozita ajo që përcakton rrjedhën e ngjarjeve politike në vend, duke theksuar se çdo skenar është i pranueshëm për Vetëvendosjen.

“Opozita e ka në dorë që ta zgjedh rrugën e mëtutjeshme. Ose ‘Kurti 2.5’ drejt zgjedhjeve në dhjetor, ose ‘Konjufca 1’ drejt zgjedhjeve në prill. Cilado për ne është e pranueshme,” u shpreh Kurti.

Sipas tij, në rast se Glauk Konjufca nuk merr votëbesimin në Kuvend, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme në muajin dhjetor. Por nëse qeveria e re formohet, atëherë zgjedhjet e ardhshme do të mbahen në prill të vitit 2026, periudhë në të cilën pritet edhe zgjedhja e presidentit të ri të vendit.

Deklarata e Kurtit vjen në një periudhë të tensionuar politike, kur ende nuk është arritur marrëveshje mes partive për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.