Kjo është Blerina,gruaja që dyshohet se braktisi tre fëmijët e saj të mitur më Durrës

Personi që shihni në foto është 33-vjeçarja Blerina B., e cila dyshohet se kishte braktisur tre fëmijët e saj të mitur në një banesë në zonën e Plazhit në Durrës.

Tre fëmijët u morën në mbrojtje nga Shërbimi Social pas një rasti të rëndë neglizhence që u raportua nga fqinjët, të cilët kishin dëgjuar të qarat e të miturve dhe ngritën shqetësimin pranë autoriteteve.

Pas njoftimit, Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Zyrën e Mbrojtjes së Fëmijëve, ndërhyri menjëherë duke i marrë fëmijët nën mbrojtje. Sipas të dhënave paraprake dhe rrëfimeve të tyre, të miturit nuk kishin shkuar në shkollë prej rreth një muaji, ndërsa tre ditët e fundit dyshohet se kishin mbetur pa ushqim. Banesa ku ndodheshin rezultonte pa asnjë përkujdesje.

Fillimisht, tre fëmijët u transportuan në Spitalin Rajonal të Durrësit për ekzaminime mjekësore, ku u mbajtën nën kujdesin e mjekëve. Më pas, ata u sistemuan pranë Qendrës së Mbrojtjes së Fëmijëve, ku iu sigurua ushqimi, veshmbathja dhe asistenca e nevojshme.

Në lidhje me këtë rast, Policia nisi procedim penal ndaj shtetases Blerina B., 33 vjeçe, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.