Djali i dytë i Ismail Qemali, Plakut të Vlorës dhe Shqipërisë, Qazim Bej Vlora, sekretar personal dhe shef i kabinetit të tij, jetoi në Strugë nga viti 1936 deri në fund të dhjetorit 1953. Në këtë qytet ai u shua në heshtje, i respektuar nga ata që e njohën, por për dekada i harruar nga institucionet.
Shtëpia ku jetoi dhe ndërroi jetë Qazim Bej Vlora ekziston ende sot, e pandryshuar, por pa asnjë shenjë përkujtimore. Edhe varri i tij mbeti i pashënuar deri më 27 nëntor 1997, kur falë Shoqatës së Historianëve Shqiptarë – Dega Strugë, u identifikua dhe u shënua simbolikisht me një gur modest.
Qazim Bej Vlora ishte pranë të atit në të gjitha misionet diplomatike dhe politike, në Shqipëri dhe jashtë saj. I arsimuar në Belgjikë, poliglot dhe i kulturuar, ai ruante me fanatizëm dokumentacionin e krijimit të shtetit shqiptar dhe veprimtarinë e Ismail Qemalit. Fatkeqësisht, kjo bibliotekë e pasur dhe këto dokumente u zhdukën pas vdekjes së tij.
Djali i birësuar i Qazim Bej Vlorës, koloneli në pension Edip Ohri, e përshkruan atë si një njeri human, patriot dhe demokrat, që jetoi thjesht dhe në varfëri, por me dinjitet, duke edukuar breza me dashurinë për Shqipërinë.
Një figurë e rëndësishme e historisë sonë kombëtare, që jetoi dhe u shua larg vëmendjes, por që meriton kujtesë, respekt dhe mirënjohje.