Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së premtes fshatin Lalm i Ri në Lezhë, ku brenda pak orësh humbën jetën dy anëtarë të së njëjtës familje.
Fillimisht, në lagjen Gurra, është gjetur pa shenja jete në dyqanin e tij të veglave të punës shtetasi Aleksandër Marku, 42 vjeç, banues në fshatin Lalm.
Sipas policisë, nga veprimet e para hetimore nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale. Pak orë më vonë, familjarët kanë gjetur pa shenja jete edhe nënën e tij, Prenë Marku, 72 vjeçe, në banesën e saj në fshatin Lalm i Ri.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se ajo nuk e ka përballuar dot psikologjikisht humbjen e të birit. Trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë për kryerjen e ekspertizës mjekoligjore, ndërsa policia vijon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë. Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, i cili sot do të përcjellë për në banesën e fundit nënën dhe djalin.