Elijona shkon tek varri i nënës, motrës dhe xhaxhait për Bajram, përlot me fjalët për ta

Ish-finalistja e edicionit të fundit të Big Brother VIP Kosova, Elijona, ka prekur me një postim mjaft emocional në rrjetet sociale.

Sot, në ditën e festës së Kurban Bajramit, ajo ka vizituar varrezat për të kujtuar njerëzit më të shtrenjtë që ka humbur, duke ndarë një mesazh që përcjell shumë dhimbje, por edhe dashuri të pafundme.

Për Elijonën, kjo festë shënon një tjetër mungesë të madhe në familje. Ajo ka kujtuar xhaxhain e saj, i cili u nda tragjikisht nga jeta muaj më parë në Gjakovë. Përmes një fotografie të realizuar pranë varrezave të mbuluara me lule, ajo ka shkruar: “Bajrami i parë pa agjin…”, duke treguar se sa e vështirë është të kremtosh pa praninë e tij.

Përveç humbjes së freskët të xhaxhait, kjo ditë ka kthyer pas edhe kujtimet e rënda të tragjedisë që i ndryshoi jetën vite më parë. Elijona ka kujtuar nënën e saj, Valentinën, dhe motrën e saj, Erlindën, të cilat u ndanë nga jeta në mënyrë tragjike në një aksident në korrik të vitit 2021.

“E prej vitit 2021 pa mamin dhe motrën time. Çdo festë pa ju është më e vështirë… Bajrami nuk është më si dikur, por kujtimet me ju do të jetojnë gjithmonë në zemrën time. Na mungoni pafund… Gëzuar Bajramin atje në parajsë,” – ka shkruar ish-banorja e BBVK në mbishkrimin e imazhit.
Elijona, e cila gjatë rrugëtimit të saj në Big Brother VIP Kosova fitoi zemrat e publikut me thjeshtësinë dhe forcën e saj, ka treguar vazhdimisht se sa e lidhur mbetet me kujtimin e familjarëve të saj. Ky postim ka nxitur reagime të shumta dhe mesazhe ngushëlluese nga ndjekësit, të cilët i kanë uruar forcë në këto ditë festash që për të mbyten në mall e mungesë. /Prive By Liberta Spahiu