Ekskluzive | Sulm “mafioz” ndaj mobilerisë “Lina Home” në rrugën Prishtinë–Prizren, autorët thyejnë xhamin dhe i vënë flakën lokalit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në rrugën Prishtinë–Prizren, ku një biznes është bërë cak i një sulmi të dyshuar kriminal, mëson Gazeta Sinjali.

Burime të afërta me hetimin bëjnë me dije se persona ende të panjohur kanë sulmuar mobilerinë “Lina Home”, fillimisht duke thyer xhamin frontal të lokalit, e më pas kanë hedhur mjet ndezës brenda objektit, duke shkaktuar zjarr dhe dëme të konsiderueshme materiale.

Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, pranë lokalit është gjetur edhe një çekan, i cili dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së sulmit.

Menjëherë pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, hetuesit rajonalë dhe forenzika, të cilët kanë kryer ekzaminimet e para dhe kanë nisur mbledhjen e provave që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.

Rasti është iniciuar si “Zjarrvënie”, teksa hetimet për zbardhjen e motivit dhe kapjen e të dyshuarve janë në zhvillim.