Mbrëmjen e djeshme, dasma e Luan Haradinajt, djalit të heroit Shkëlzen Haradinaj dhe Syzanës, bëri bashkë shumë figura të njohura të vendit. Por, përtej atmosferës dhe pamjeve nga festa që qarkulluan në rrjetet sociale, ishte një detaj specifik që tërhoqi vëmendjen. Vlora Çitaku, e cila aktualisht mban postin e nënkryetares së Kuvendit, zbuloi një prapaskenë mjaft prekëse që i ktheu ndjekësit disa vite pas në kohë.
Përmes një postimi të ndjerë në Facebook, ajo tregoi se prezenca e saj aty nuk ishte thjesht një obligim formal, por përmbushja e një premtimi të vjetër. Shumë vite më parë, gjatë shënimeve të Epopesë së Dukagjinit, Vlora kishte takuar Luanin e vogël pranë vendit ku pushojnë heronjtë. Edhe pse ai ishte ende fëmijë, qëndrimi i tij i kishte lënë aq mbresa, saqë ajo i kishte bërë një kërkesë të thjeshtë: “Ende je i vogël, por kur të rritesh e ta gjesh dashurinë, mos harro me më thirrë në dasmë”.
Koha kaloi dhe ai fëmijë u rrit për t’u bërë oficer i Ushtrisë së Kosovës. Pas më shumë se një dekade nga ai moment, ftesa mbërriti. Luani nuk e kishte harruar kërkesën e saj, duke e mbajtur fjalën e dhënë me të njëjtën përgjegjësi që mban edhe emrin e axhës së tij. Nënkryetarja e Kuvendit ndau emocionin dhe krenarinë për rrugëtimin e tij, duke e kthyer këtë detaj në një nga historitë më të veçanta dhe njerëzore që u ndanë nga festa e mbrëmshme. /Prive By Liberta Spahiu