Aktorja e njohur Lena Berisha ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik pas një deklarate të drejtpërdrejtë dhe pa filtra lidhur me ndarjet martesore pas shumë vitesh bashkëjetesë.
Gjatë një bisede, Berisha u shpreh se nuk e justifikon ndarjen pas 30 viteve martesë me arsyetimin “nuk po e du më burrin”, duke e cilësuar një veprim të tillë si “lazdrimllak”. Sipas saj, martesa nuk është vetëm ndjenjë momentale, por përgjegjësi, sakrificë dhe përkushtim ndër vite.
“Pas 30 vjetësh bashkëjetesë, familje, fëmijë e jetë të ndërtuar bashkë, të thuash thjesht ‘nuk po e du më’ nuk qëndron”, është shprehur aktorja, duke shtuar se shoqëria sot po e trajton martesën shumë lehtë.
Deklarata e saj ka ndarë rrjetin në dy kampe. Një pjesë e ndjekësve e kanë përkrahur, duke thënë se Berisha po thotë të vërtetën që shumë nuk guxojnë ta thonë. Ndërsa të tjerë e kanë kritikuar ashpër, duke theksuar se dashuria, respekti dhe mirëqenia personale nuk kanë afat dhe askush nuk duhet të qëndrojë në një martesë të zbrazët.
Debati vazhdon të jetë i nxehtë në rrjete sociale, ndërsa fjalët e Lena Berishës po komentohen gjerësisht dhe po hapin diskutime të forta mbi martesën, lirinë personale dhe normat shoqërore.