Fituesi i “Big Brother VIP 2”, Luiz Ejlli, ka bërë një rrëfim të fortë dhe tejet tronditës gjatë intervistës në emisionin “10×10 me Eli Salihu”, duke zbuluar anën më të errët të famës dhe pasojat e rënda të urrejtjes në rrjetet sociale.
I njohur për natyrën e tij pozitive dhe humorin, Luizi këtë herë u shfaq i prekur emocionalisht teksa tregoi se sulmet online nuk janë ndalur vetëm tek ai, por kanë kaluar çdo kufi duke përfshirë edhe vajzën e tij të vogël. Këngëtari rrëfeu se ka marrë mesazhe me foto të montuara të vajzës së tij në arkivol, një veprim që e cilësoi si çnjerëzor dhe shokues.
Ai u shpreh se nuk arrin ta kuptojë se si njerëzit mund të arrijnë deri në këtë pikë, kur ai thjesht ka fituar një format televiziv dhe nuk i ka bërë keq askujt. Luizi theksoi se vajza e tij është krejtësisht e pafajshme dhe se këto sulme kanë qenë goditja më e rëndë për të si prind.
Gjatë intervistës, ai foli edhe për anonimitetin e rrjeteve sociale, duke thënë se shumë prej këtyre mesazheve vijnë nga profile fallco dhe njerëz që fshihen pas ekranit. Sipas tij, reagimi ndaj tyre nuk ia vlen, as ligjërisht dhe as moralisht, pasi vetëm do ta ndynte veten.
Në fund të rrëfimit, Luizi tregoi se ka zgjedhur t’i injorojë këto sulme dhe t’ia lërë gjithçka gjykimit hyjnor, duke theksuar se ai ka ndërgjegje të pastër dhe se familja e tij është prioritet absolut.