Për herë të parë në Kardiokirurgji realizohet operacioni kompleks “Frozen elephant trunk”

Për herë të parë në Kosovë, në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, në Shërbimin Klinik të Kardiokirurgjisë është realizuar zëvendësimi i harkut të aortës përmes procedurës “Frozen elephant trunk” (FET), e krahas saj është zëvendësuar edhe rrënja e aortës (Bentall procedurë).

Pacienti para dy vjete kishte disekacion akut të aortës (çarje të aortës) dhe ka pasur intervenim kardiokirurgjik duke bërë zëvendësimin e pjesës ascendente të aortës në një qendër jashtë Kosovës.

Me kalimin e kohës sëmundja ka evoluar dhe është paraqitur nevoja për ri ndërhyrje (Redo OP) kirurgjike për shkak të zgjerimit të rrënjës së aortës, harkut të aortës, si edhe dëmtimit të valvulës aortale.

Ekipa opertore e udhëhequr nga prof. dr. Omer Xhemali, drejtor i Kardiokirurgjisë së Spitalit Universitar të Cyrihut dhe njëkohësisht udhëheqës i Aleancës për Kardiokirurgji (Spitali Universitar i Cyrihut, Spitali i qytetit të Cyrihut dhe SpitaliKkantonal i Cyrihut), dr. Petar Risteski dhe anesteziologia dr. Bettex Dominique, së bashku me ekipin vendor të kardiokirurgëve dhe anesteziologëve të Shërbimit Klinik të Kardiokirurgjisë kanë realizuar “Frozen elephant trunk” dhe Bentall procedurë, operacion i kryer për herë të parë në Kosovë.

“Operimet e tilla janë nga më komplekset në Kardiokirurgji, të kushtueshme dhe njëherësh realizohen vetëm në qendra ekselente të Kardiokirurgjisë”, thuhet në njoftim.

Bashkëpunimi i ndërsjellë me klinika me renome botërore, siç është ajo e Universitetit të Cyrihut të Zvicrës paraqesin hap drejt zhvillimit të Kardiokirurgjisë me metoda të avancuara, të cilat në të ardhmen do të shtohen në numrin e procedurave operative kardiokirurgjike në QKUK.

Stafi i Shërbimit Klinik të Kardiokirurgjisë në QKUK, njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, se për çdo nevojë sa i përket sëmundjeve të zemrës, mund të drejtohen në QKUK, pa pasur nevojë të kërkojnë ndihmë në qendra të tjera jashtë QKUK-së.