Rasti Tolaj, Haklaj dhe Zemaj – Ish-agjenti i SHIK zbulon informacione tronditëse për vrasjet politike

Më 24 nëntor 2003, policët Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj u vranë në një pritë të organizuar në rrugën Pejë–Deçan, ndërsa po udhëtonin për në punë në Pejë.

Ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, ka deklaruar se vrasja e policëve, Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, mbi 22 vjet më parë dhe moszbardhja e saj ka pasur një karakter politik.

“Vrasja e policëve të Kosovës, Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, para mbi 22 vitesh dhe moszbardhja e saj deri sot, ka një karakter politik. Pengesa kryesore kanë qenë politikanët dhe klanet në Dukagjin, të cilët kanë urdhëruar këtë vrasje. Ajo lidhet drejtpërdrejt me vrasjen e Tahir Zemes, pasi hetuesit policorë të të vrarëve Tolaj dhe Haklaj po gjurmonin vrasësit e Tahir Zemes dhe ishin afruar shumë pranë zbulimit të plotë të vrasjes së operatorit Zemaj. Por, duket se hetuesit e ndjerë Tolaj dhe Haklaj kanë besuar dhe kanë folur më shumë sesa duhej në këto raste, dhe me siguri 100% mund të konkludojmë se vrasësit e Tahir Zemes janë e njëjta grup që vrau edhe Sabahate Tolajn”, ka thënë ai.

Po ashtu, Miftari ka theksuar se Policia e Kosovës dhe ajo ndërkombëtare kishin informacione mbi porositësit dhe vrasësit.

“Vrasja e Zemes kishte kushtuar porositësve rreth 140.000 euro, ndërsa vrasja e policëve Tolaj dhe Haklaj kushtoi rreth 30.000 euro. Interesant është se Policia e Kosovës dhe policia ndërkombëtare kishin shumë të dhëna për porositësit dhe sidomos për vrasësit, të cilët përbëheshin nga tri grupacione nga rajoni i Dukagjinit, Drenicës dhe Llapit. Si u liruan dhe u amnistuan këto klane nga drejtësia, e ndikuar nga politika dhe korrupsioni, nuk dihet saktësisht. Disa nga këta vrasës u vran vit pas viti më vonë; disa vdiqën nga helmimet, sëmundjet ose aksidentet e komunikacionit; disa janë jashtë sot në Evropë dhe disa zotërojnë edhe firma, të krijuara përmes parave të haraçit, korrupsionit dhe tenderëve të dhënë nga pushtetarë dhe politikanë të korruptuar të Kosovës”, është shprehur Miftari.

Miftari tha se shumica e vrasjeve politike dhe të policëve në Kosovë nuk do të zbardhen kurrë.

“Sot besoj se shumica e vrasjeve politike dhe të policëve të Kosovës nuk do të zbardhen kurrë, përveç kohës së gjatë që ka kaluar dhe zhdukjes së dëshmitarëve, aktorëve dhe provave gjyqësore. Nuk ka pasur as vullnet politik, as nga vet LDK-ja, për të zbardhur këto vrasje, të cilat kishin karakter dhe ngjyrë politike”, ka përfunduar Miftari.