Serbia ka thënë të martën se ka arrestuar një ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të identifikuar me iniciale A.Q.
Sipas Ministrisë serbe për Punë të Brendshme ai dyshohet se gjatë luftës në Kosovë ka kryer veprën penale të organizimit të një grupi dhe nxitjen për kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës.
Në njoftim pretendohet se i dyshuari në prill të vitit 1998 i është bashkuar shtabit lokal të UÇK-së për fshatin Romajë në komunën e Prizrenit dhe se si pjesëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani” ka marrë pjesë në sulmin ndaj postës kufitare serbe në Koshare në vitin 1999.
Të dyshuarit A.Q. (1973) i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh dhe MPB-ja serbe shtoi se në prokurorinë kompetente ndaj tij do të dorëzohet një kallëzim penal.