Një incident i rëndë me pasoja serioze ka ndodhur të shtunën mbrëma në fshatin Gernqar të Komunës së Kllokotit, ku një person dyshohet se ka tentuar ta vrasë vëllain e tij pas një mosmarrëveshjeje familjare.
Ngjarja ka ndodhur më 22.11.2025 rreth orës 22:30, kur patrulla policore dhe ndihma e shpejtë janë njoftuar për një rast dhune në familje. Sipas të dhënave, i dyshuari Sasa Krcmarevic, pas një konflikti verbal me vëllain e tij S.K., ka nxjerrë një thikë dhe e ka goditur dy herë në qafë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Viktima është dërguar me urgjencë në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan, ku po vazhdon trajtimin mjekësor. Ndërkohë, i dyshuari është arrestuar në vendngjarje.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurorja kujdestare për krime të rënda, e cila ka urdhëruar inicimin e rastit për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Vrasje në tentativë”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë e hetimeve dhe forenzika regjionale, të cilat kanë kryer veprimet e nevojshme hetimore.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.