Analisti i pushtetit në studio televizive, anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Sadri Ramabaja ka paralajmëruar padi civile për shpifje ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi.
Ramabaja ka thënë sot se padinë ndaj Kajtazit do ta dorëzojë në Gjykatën Themelore në Prishtinë “në ditët në vijim”.
Padia e parlajamëruar nga Ramabaja ndërlidhet me komentet e Kajtazit rreth pjesëmarrjes së Ramabajës në aktivitetet e organizatës terroriste ‘Syri i Popullit’.
“Vebi Kajtazi vazhdon të ushtrojë zejën e shpifsit saherë ia kërkon uni i tij i sëmurë, pavarësisht se edhe vet e ka dëshmuar dikur se procesi ndaj meje ishte një montim i tipit stalinist, ku ishin falsifikuar edhe dëshmitë e agjentëve të AKI-së”, tha të hënën Ramabaja.
“Për këtë shpifje publike të radhës dhe këto përpjekje të ripërsëritura nga ana e tij që për qëllim kanë cënimin e dinjitetit tim, në ditët në vijim, do ta dorëzojë në Gjykatën Themelore të Prishtinës padinë përkatëse”, përmbylli Ramabaja një shkrim në Facebook të hënën.
Gazetari Kajtazi tha të dielën në emisionin VV Show se Ramabaja është incizuar duke bërë lista për vrasje të njerëzve, si pjesë e organizatës “Syri i Popullit”.
“Sadri Ramabaja është ulur me këtë grupin kriminal të vrasësve. Është i incizuar ku ka bërë lista për vrasje të njerëzve. Është e provuar se ka diskutuar për vrasje të njerëzve. Me një agjente rumune atje kanë folur se duhet t’i vrasin Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Ramush Haradinajn, Isa Mustafën. Të gjithë këta që i kanë konsideruar e keqja e këtij vendi”, tha Kajtazi në VV Show të dielën.
Sadri Ramabaja, ishte gjykuar për rastin “Syri i Popullit” nga viti 2018 deri në vitin 2020.
Para se të kapej nga organet e rendit, ai kishte provuar të arratisej jashtë vendit. Ishte zënë në Durrës nga policia kufitare shqiptare në vitin 2017.
Policia e Shqipërisë kishte bërë të ditur se Ramabaja ishte kapur derisa kishte tentuar të hipte në tragetin Durrës-Itali me dokument të falsifikuar në emrin e një anëtari të Vetëvendosjes asokohe.
Ai, kishte provuar të arratisej në Itali me leje qëndrim të mikut të tij Xhevat Bislimit, i cili ishte kandidat për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.