Videoklipi i Adelinës tek vila e Radojçiq nxit reagime të forta

Këngëtarja e njohur Adelina Ismaili ka publikuar projektin e saj më të ri muzikor, por ajo që duhej të ishte një ngjarje artistike është shndërruar në një polemikë të ashpër politike. Shkaku: premiera e këngës dhe raportimi për të në edicionin qendror të lajmeve në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Projekti, i cili është xhiruar në disa lokacione në veri të Kosovës, u prezantua nga transmetuesi publik si një përpjekje për të “përcjellë një mesazh të unitetit dhe të dashurisë për vendin”.

Megjithatë, vëmendja e madhe mediatike dhe mënyra e trajtimit të këtij materiali në edicionin kryesor të lajmeve ka nxitur reagime të shumta, duke kulmuar me akuza për keqpërdorim të televizionit publik për propagandë politike.

Shpërthen reagimi: “Propagandë politike”

Reagimi më i zëshëm erdhi nga ekspertja e medias, Flutura Kusari. Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, ajo e quajti raportimin e RTK-së “skandaloz” dhe materialin një shërbim propagandistik për partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

Kusari detajoi kritikat e saj, duke vënë në dukje se materiali u transmetua në një kohë të dyshimtë, pikërisht “në një natë zgjedhjesh lokale në Mitrovicë”, gjë që e lidh drejtpërdrejt me përpjekjet politike të VV-së në atë zonë. Ajo kritikoi ashpër edhe vendimin editorial për të shkelur formatin e lajmeve duke transmetuar këngën e plotë brenda bllokut qendror. “Fillimisht është paralajmëru në lajme… Kur është hera e fundit që një këngë është promovuar në lajme? Dhe pastaj është transmetu kenga e plotë,” shkroi ajo.

Për më tepër, ekspertja e medias pretendoi se ka pasur mungesë transparence gjatë xhirimeve të këtij “spoti politik propagandistik”, duke theksuar se gazetarët e tjerë nuk janë lejuar të jenë të pranishëm. “Këtë e konfirmova me të paktën tre gazetarë kredibilë,” pohoi ajo.

“VV-ja është duke e keqpërdorë pushtetin qe e ka duke e përdorë transmetuesin publik si vegël për me ia shpërla trurin publikut,” shkroi Kusari.
Lidhja me çështjet e brendshme të RTK-së

Në reagimin e saj, Kusari e lidhi këtë ngjarje edhe me situatën e brendshme në RTK, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti se “vazhdon të tallet me familjet e 700 punëtorëve të RTK-së duke i lënë pa paga”.

Ngjarja ka hapur sërish debatin publik mbi pavarësinë editoriale të transmetuesit publik dhe ndarjen midis interesit publik, promovimit të artit dhe asaj që kritikët e shohin si propagandë të pastër politike. /Prive By Liberta Spahiu