Ushtari amerikan rikthehet në Kosovë pas 25 vjetësh, tash si investitor

Demian Costa ishte ndër ushtarët e parë të NATO-s që shkelën në Kosovë para 25 vjetësh.

Ai këto ditë është kthyer në Kosovë, por këtë herë jo si ushtar, por si investitor, shkruan Zeri.info.

Costa ka ndarë historinë e tij me Kosovë, kur para dy dekadave erdhi në Kosovë për të ruajtur paqen, një mision që siç thotë, la një ndikim të thell tek ai.

“Më shumë se dy dekada më parë isha pjesë e përpjekjes për të çliruar Kosovën—një mision që la një ndikim të thellë tek unë. Ajo që nuk mund ta kisha imagjinuar atëherë ishte se udhëtimi im me këtë vend ishte larg së përfunduari”, shprehet Costa, transmeton Zeri.info.

Ai ndihet krenar që tashmë po investon në Kosovë në fushën e teknologjisë, e cila thotë se po krijon një mundësi për profesionistët që ka vendi i ri në Evropë.

“Sot, jam krenar që po investoj në Outsorcy, një kompani që po ndihmon në ndërtimin e një të ardhmeje me talente globale të decentralizuara, me rrënjë në Kosovë. Së bashku me Greg Moran, po krijojmë mundësi për profesionistë të shkëlqyer në Kosovë që të lidhen me biznese në mbarë botën”.

“Për mua, kjo është më shumë se një investim. Është një moment i plotë cikli. Erdha këtu fillimisht si luftëtar, duke punuar për të siguruar lirinë e një kombi që luftonte për sovranitetin e tij. Tani, kthehem si partner në të ardhmen ekonomike të tij—duke ndihmuar në krijimin e vendeve të punës, nxitjen e inovacionit dhe kontributin në prosperitetin afatgjatë të vendit”, ka shkruar ai në profilin e tij në linkedin, duke e cilësuar si nder të jetë pjesë e këtij kapitulli të ri.

“Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm—profesionistë të zgjuar dhe të motivuar, të gatshëm për të lënë gjurmë në skenën globale. Outsorcy është këtu për të ndihmuar në tejkalimin e kësaj pengese, duke çliruar potencialin si për bizneset, ashtu edhe për individët”.

“Është një nder të jem pjesë e këtij kapitulli të ri. Për ata që kërkojnë talent të jashtëzakonshëm dhe për ata në Kosovë që kërkojnë mundësi global”, shkruan ish-marinsi që tani është kthyer si investitor. /Zëri