Kosova shënon një histori frymëzuese suksesi dhe qëndrese me Afrim Zabelin, i cili është diplomuar nga një akademi ushtarake në Turqi dhe ka hyrë në histori si piloti i parë i helikopterit ushtarak të Kosovës.
Rruga e tij drejt këtij suksesi nuk ka qenë e lehtë. Në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë, forcat serbe masakruan babanë dhe vëllain e tij në Rezallë, një nga krimet më të rënda të luftës, ku u vranë 98 civilë shqiptarë. Kjo plagë e thellë familjare nuk e ndali Afrimin, por u shndërrua në motiv për t’i shërbyer vendit me dinjitet dhe profesionalizëm.
Pas përfundimit të studimeve dhe trajnimeve të avancuara në Turqi, Zabeli u kualifikua si pilot helikopteri ushtarak, duke hapur një kapitull të ri për Forcat e Sigurisë së Kosovës. Arritja e tij konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të kapaciteteve ajrore dhe forcimit të sigurisë së vendit.
Historia e Afrim Zabelit është dëshmi se nga dhimbja dhe humbja mund të lindë forcë, shpresë dhe përkushtim për të ardhmen e Kosovës.