Pasardhësit e familjes Jashari, Hamëza dhe Ademi, kanë realizuar një vizitë domethënëse në veriun e Kosovës, nën moton “Nga Prekazi në Veri”, duke përcjellë një mesazh të fuqishëm uniteti, respekti dhe vazhdimësie të idealit të lirisë.
Kjo vizitë u bë në nderim të Enver Zymberit dhe Afrim Bunjakut, dy figura që dhanë jetën në shërbim të atdheut dhe sigurisë së vendit. Me këtë akt simbolik, pasardhësit e familjes Jashari ritheksuan se sakrifica për Kosovën nuk njeh kufij gjeografikë dhe se idealet e Prekazit jetojnë në çdo cep të vendit.
Vizita u shoqërua me homazhe dhe mesazhe respekti për të rënët, duke përforcuar bindjen se rruga e lirisë, e nisur nga Prekazi, vazhdon të udhëheqë brezat edhe sot. “Nga Prekazi në Veri” u cilësua si një mesazh i qartë se Kosova është një dhe se gjaku i derdhur për liri i bashkon të gjithë.