Aktorja e humorit, Granita Radogoshi, e cila për vite me radhë ishte një nga figurat më të dashura të ekranit shqiptar, është rikthyer në vëmendjen e publikut pas një mungese të gjatë prej më shumë se një dekade.
Radogoshi, e njohur gjerësisht për skeçet e saj ikonike dhe bashkëpunimin me Qumilin, ka thyer heshtjen në një intervistë ekskluzive, duke zbuluar arsyet e dhimbshme të largimit të saj nga skena.
Mes nostalgjisë për artin dhe lotëve, ajo pos rrëfimit për humbjen e nënës dhe motrës brenda një viti, ka ndarë detaje tronditëse mbi dhunën në familje që ka përjetuar nga ish-partneri i saj.
Rrëfimi për dhunën: “Si në mesjetë”
Aktorja ka treguar se kalvari i vuajtjeve erdhi nga bashkëjetesa me ish-partnerin, për të cilin ajo zbuloi se është djali i një gazetari të njohur. Sipas Radogoshit, gjithçka nisi me një xhelozi patologjike që u përshkallëzua në izolim total dhe dhunë.
“Ka filluar me kontrollimin e celularit. Me përgjimin. Tmerr. Unë nuk jam edukuar në këtë mënyrë, më kanë bërë dy artistë, jemi familje artistësh,” është shprehur ajo.
Ajo përshkroi se si situata agravoi pas një viti bashkëjetesë, duke u shndërruar në një burg shtëpiak.
“Ai ka pasur xhelozi imagjinare. Kontrollo çantë, telefon, daljet e mia. Më ka mbajtur mbyllur me çelës. Nuk kam mundur as të ikë, nuk më ka lënë as me dalë. Kam mbetur pa ushqim. E kisha çantën me para, por më mbante mbyllur. Kjo është një xhelozi që nuk imagjinohet. Si në mesjetë,” rrëfen aktorja.
Arratisja zbathur dhe thyerja e telefonit
Momenti më dramatik i rrëfimit ishte përshkrimi i arratisjes së saj për të kërkuar ndihmë. Ajo tregoi se ish-partneri i kishte thyer mjetet e komunikimit për ta izoluar nga familja e saj.
“Mezi kam arritur ta lajmëroj policinë. Kam dalur zbathur. Ma theu celularin, të mos kem kontakt me familjen. Kjo quhet sëmundje,” tha Radogoshi, duke theksuar se partneri i saj ishte rritur në një ambient ku kishte parë dhunë, gjë që sipas saj kishte ndikuar në sjelljen e tij.
Raporti me “Axhën Qumil” dhe rikthimi
Përveç dramës personale, Granita foli edhe për anën profesionale dhe raportet e shumëpërfolura me axhën e saj, Qumilin, me të cilin ndanë rrugët profesionale vite më parë.
Rikthimi i saj ka ngjallur shumë nostalgji te publiku shqiptar, i cili e ka mirëpritur rishfaqjen e aktores që dikur sillte humor në kohë të vështira.
Intervista e plotë ka hedhur dritë mbi misterin e zhdukjes së saj, duke zbuluar se pas heshtjes fshihej një betejë e vështirë për mbijetesë dhe dinjitet. /Prive By Liberta Spahiu