‘Makthi më i keq’: Nëna e përlotur ka një lutje pas vdekjes së 13-vjeçares që kopjoi trendin e rrezikshëm në TikTok

Nëna e një vajze që vdiq ndërsa kopjonte një trend të “tmerrshëm” të mediave sociale po bën thirrje që fëmijët të mësohen rreth rreziqeve të abuzimit me tretës.

Sonia Hopkin mbeti “zemërthyer” pas vdekjes së vajzës së saj 13-vjeçare, Tiegan Jarman, e cila u gjet pa ndjenja në dhomën e saj të gjumit në Thurmaston, Leicestershire, më 6 mars, shkruan BBC, transmeton Sinjali.

Ajo vdiq duke marrë pjesë në një trend online të quajtur chroming, duke kopjuar video që kishte parë në TikTok, tha znj. Hopkin

Një peticion është nisur tani për të kërkuar futjen e mësimeve të detyrueshme rreth abuzimit me tretës në shkolla. Znj. Hopkin, e cila jeton në Leicester, tha se Tiegan ishte shpallur e vdekur në vendngjarje pasi u gjet pa ndjenja në shtëpinë e babait të saj.

45-vjeçarja beson se vajza e saj “e shoqërueshme dhe qesharake” po merrte pjesë në një trend ku njerëzit nuhasin ose thithin tym toksik, të cilin e kishte parë në TikTok, transmeton Sinjali

Znj. Hopkin, një asistente e kujdesit shëndetësor në Spitalin Mbretëror të Leicester, tha se shpërtheu në lot kur zbuloi se çfarë i kishte ndodhur vajzës së saj.

“Kur dëgjon histori të tjera në gazeta, gjithmonë mendon se është familja e dikujt tjetër, kurrë e jotja,” tha ajo. “Është thjesht makthi më i keq. Isha me zemër të thyer dhe kam qenë kështu që atëherë.”

Znj. Hopkin tani dëshiron të rrisë ndërgjegjësimin për “rreziqet e këtij trendi të tmerrshëm”. Përveç thirrjes për mësime rreth abuzimit me tretës, peticioni kërkon gjithashtu që të zbatohen rregulloret që u kërkojnë prodhuesve të shtojnë paralajmërime në paketimet e tyre.