Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar kandidatët e Listës Serbe dhe reagimet e Ambasadës Amerikane dhe organizatave të shoqërisë civile.
Pyetjes për deklaratën e Ambasadës Amerikane, e cila kishte thënë se “Përpjekjet e LVV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë dritëshkurtra dhe përçarëse”, Kurti iu përgjigj shkurt se janë çështje të Ambasadës dhe KQZ-së.
“Ajo është çështje e Ambasadës Amerikane, është çështje e KQZ-së, unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës”, tha ai, teksa mori pjesë në vendosjen e gur themelit të stadiumit në Podujevë.
Demokracia në Veprim (DnV) ka reaguar në lidhje me vendimin për moscertifikim e Listës Serbe, duke shprehur shqetësimin, duke thënë se ky nuk është rasti i parë që KQZ-ja devijon nga praktikat e mëparshme dhe nga vendimet e PZAP-it dhe Gjykatës Supreme.